Bergomi vlerëson lart Bastonin, por i thotë që të bëhet një … mbrojtës!

Një legjendë e prapavijës padyshim që mund ta vlerësojë një futbollist që luan në mbrojtje. Xhuzepe Bergomi, figura e madhe e dikurshme e Interit të viteve 80-të, thotë fjalë vlerësimi për talentin e sotëm zikaltër, Alesandro Bastonin. Futbollisti 20-vjeçar, i rritur tek Atalanta, është një zbulim i sezonit për Serinë A dhe për skuadrën e trajnerit Antonio Konte, dhe Bergomi padyshim që e pëlqen shumë.

“E njoh Bastonin prej kohësh, – thotë ish-kapiteni, – që kur drejtoja grupmoshën 1995 tek Atalanta, më thoshin se klasa e 1999-ës ishte më e mirë, dhe Alesandro ishte njëri nga ata që binte në sy. Me kalimin e kohës është rritur edhe më shumë, duke kaluar nëpër ekipet kombëtare, gjithnjë ka qenë fizikisht dhe teknikisht mjaft i mirë. Për më tepër, është qendërmbrojtës që luan me të majtën, kategori që kërkohet shumë në futboll”.

Bastoni është 1.91 metra shtatlartë dhe padyshim që do të jetë edhe më i mirë në të ardhmen, por Bergomi i jep disa këshilla. “Alesandro di të luajë mirë me topin, ka edhe arrogancën që duket bukur në moshën e tij, – thotë ai, – por, duhet të dijë të jetë edhe më shumë mbrojtës, të përballojë duelet një për një, të dijë të mbrojë me shumë hapësirë pas krahëve, të gjejë kohën e duhur për veprimet, pra të zgjidhë probleme, jo të krijojë probleme. Ai duhet të ndjekë këshillat e Kontes”.

Sfidanti.al