Atalanta e vogël? Gasperini jep një përgjigje ndaj Dortmundit

Seria A e mori vesh sezonin e kaluar se Atalanta nuk ishte më edhe aq e vogël. Përkundrazi. Skuadrat e Milanos, por edhe Sampdoria apo Torino, me shumë më tepër emër sesa ajo, u detyruan t’i përkulen formacionit të drejtuar nga trajneri Gasperini. i ardhur nga “fodullët” e Interit, tek “populli” i Bergamos, “Gasp” ndjeu lumturi të madhe që drejtoi një skuadër me emra jo shumë të njohur drejt lartësive të shquara, duke u kualifikuar për në Ligën e Europës. Përgatitoret deri në nisjen e veprimtarisë gjithashtu po shkojnë mbarë.

Edhe kontinenti e mori vesh se Atalanta nuk është aspak diçka për t’u flakur tej. Në Austri, në një ndeshje miqësore luksi, bergamaskët mundën të madhe Borusia të Dortmundit. Golin e vetëm të takimit në Altah e shënoi i ardhuri nga Fiorentina, Iliçiç. Largimet e verës nuk kanë prishur edhe aq punë, ndërsa Etrit Berisha e bëri sërish detyrën e tij me disa pritje.

Sfidanti.al