Masimiliano Alegri po e kryen shkëlqyeshëm detyrën e tij si trajner i Juventusit, kështu që është logjike që për të po interesohen disa klube të mëdhenj evropianë. Fillimisht, shërbimet e tij i donte Mançester Junajtidi, ndërkohë që media spanjolle shkruan se ai është kandidat kryesor që të ulet verën e ardhshme në stolin e drejtimit të Realit të Madridit. Duket se për Santiago Solarin nuk po “lulëzojnë trëndafilat” në stolin e Realit, kështu që vështirë se ai do të vazhdojë të qëndrojë si trajner i klubit “mbretëror” mbas këtij sezoni.
Alegri te Juventusi ka arritur të fitojë katër kurrora dyshe radhazi në Itali dhe, nëse ai do të arrijë që të fitojë edhe Ligën e sivjetme të Kampioneve, atëherë, ai do ta “betonojë” statusin e tij si një nga trajnerët më të mirë në botë.
“Zonja e vjetër” torineze i ka ofruar Alegrit kontratë të re, por ai nuk po nxiton që të japë përgjigje. Ai ka thënë se do të japë përgjigje, kur të mbarojë ky sezon, kurse kryesia e klubit e do përgjigjen tani, që të mos ndodhë si në rastin e Antionio Kontes që iku para kohës.
Sfidanti.al