Është një nga dy ndeshjet më të mëdha të Italisë, dhe shpesh herë orët përpara se të luhet janë më shumë emocionuese sesa ato të vetë sfidës. Për ta bërë më të bukur duelin Milan-Juventus, menduan trajnerët e dy skuadrave që lëshuan batuta në konferencat për shtyp.
“Gatuzo është bërë tashmë i madh”, – thotë Alegri për kolegun. Më pas, kur gazetarët e pyesin për lojën që do të bëjë skuadra e tij, Alegri i kujton atë që ndodhi ndaj Mançester Junajtidit. “Vlejnë fitoret, jo ndeshjet e bukura, apo harruat?”, – ishin fjalët e tij. Lajmi i mirë i Alegrit ishte që Mario Manxhukiç mund të luajë.
Rino Gatuzo ndoshta i ka batutat me më shumë “piper”. “Juventusi ndonjëherë duket sikur i fiton ndeshjet pa u djersitur fare, por ne do ta bëjmë që të lodhet”, – janë fjalët e trajnerit milanist. Më pas, Gatuzo premton se “ndonëse Juventusi është yjor, ne do t’i japim një betejë”.
Sfidanti.al