Alegri drejt Arsenalit? As mos e mendoni, thotë Juventusi!

Masimiliano Alegri ka pasur pak më shumë konflikte brenda “familjes” këtë sezon, sesa mund të quhet e pranueshme. E megjithatë, punëdhënësit e tij e quajnë një trajner të madh. Pak muaj përpara fundit të sezonit, ndërsa zërat për kalimin e teknikut në Premier Ligë bëhen gjithnjë e më këmbëngulës, Alegri duket se është i “salduar” në stolin bardhezi. E thotë vetë “i zoti i punës”, pra drejtori sportive i Juventusit, Bepe Marota.

“Ne jemi shumë të kënaqur me Alegrin, – shprehet ai, për një televizion italian, – më duket gjëja më e mirë për një klub futbolli që të vazhdojë me një trajner që ka treguar me fakte se është një prijës në dhomën e zhveshjes, përveçse një trajner i një niveli absolut, dhe një profesionist i madh”. Ku shkuan ato që shkruheshin nëpër media se “Juventusi ishte i pakënaqur me Alegrin”, ku shkuan turinjtë e varur pas humbjes së Superkupës së Italisë? Po konfliktet me lojtarë të rëndësishëm që u mendua se po e largonin nga Torino? Alegri ka qenë gjithnjë i tillë, i vënë vazhdimisht në diskutim, pasi është dukur pak si i butë, veçse të gjithë kanë kuptuar se sjellja e tij njerëzore nuk ishte aspak pengesë për autoritetin, përkundrazi, ishte ndihma më e mirë.

Sfidanti.al