Sëlltiku i Roxhersit, dominuesi i madh i futbollit skocez

Dikur ka qenë një nga kampionatet më të fortë të botës, të paktën përsa i përket skuadrave kryesore. Premier Liga skoceze kishte (dhe ka) në përbërje gjigandët Gllazgou Rejnxhërs e Sëlltik, ndër shpikësit e futbollit të klubeve, dhe që në vitet 60-të e 70-të ishin pranë trofeve europianë. Sot Sëlltiku nuk është më ai që dilte kampion i Europës në 1967 dhe që arrine në finalen e Kupës së Kampionëve në 1970, as Rejnxhërsi ai që arrinte në finale dhe fitonte Kupën e Kupave.

Gjithsesi, emocionet nëpër stadiume janë thuajse njëlloj. Dominuesi i Skocisë në futboll mbetet Sëlltiku që fitoi edhe Kupën e Federatës. Suksesi 2-1 në finale ndaj Aberdinit bëri që të plotësohej “treshja”, bashkë me kampionatin dhe kupën e ligës. Armstrong dhe Rogiç në minutën e fundit shënuan për skuadrën që drejtohet nga një anglez (Brendan Roxhers), ndryshe nga tradita që thotë se skocezët drejtonin anglezët (Shenkli, Ferguson).

Kjo ishte kupa e 37-të e Sëlltikut, një rekord, pasi  Gllazgou Rejnxhërs ka mbetur në 33. Në kampionat, Sëlltiku ishte një nga skuadrat e pakta të pathyera të Europës, duke arritur 34 fitore, 4 barazime dhe asnjë disfatë, duke shënuar 106 gola e duke pësuar vetëm 25. Ndjekësi më i afërt, Aberdini, mbeti 30 pikë prapa.

Sfidanti.al