Trajneri i Çelsit, Mauricio Sari, tha se ai nuk ka ditur asgjë lidhur me ardhjen e futbollistit të ri Kristiano Pulishiç në këtë klub para se ky informacion të bëhej zyrtar. Sa për dijeni, ky futbollist i ri amerikan u bë që nga dje zyrtarisht futbollist i Çelsit që pagoi për të 58 milionë sterlina.
Megjithatë, trajneri italian i Çelsit, sikurse thotë ai vetë, nuk dinte asgjë, gjë që tregon edhe një herë tjetër se ai nuk ka ndikim, kur është fjala për blerjet e reja, njëlloi sikurse ishte edhe rasti me paraardhësin e tij, Antonio Konte.
“Unë nuk kam ditur asgjë për ardhjen e Pulishiçit, para se ajo të bëhej zyrtare”, i deklaroi Sari Bi-Bi-Si-së mbas barazimit me Sauthemptonin, duke shtuar:
“Në fakt, mua më kërkuan një mendim për të para një muaji dhe unë dhashë mendim pozitiv, por unë vetëm tani mësova se ishte arritur marrëveshja. Nuk jam unë ai që përgjigjem për tregun e transferimeve, kështu që detyra ime është që të përqendrohem te ndeshjet që zhvillohen një në tri ditë”, vuri në dukje trajneri italian.
Sfidanti.al