Karriera e tij 15-vjeçare kaloi kryesisht në ishull, dhe fare pak në Spanjë. Sesk Fabregas i vuri kapakun asaj me ndeshjen e fundit luajtur për Çelsin, atë në Kupën e Anglisë ndaj Notingem Forestit. Për fat, u luajt në “Stemford Brixh”, dhe ndarja ishte tepër emocionale me dhjetëra mijë tifozët, aq sa mesfushori 31-vjeçar nuk i mbajti dot lotët. Nuk i thonë shaka, por plot 501 ndeshje në Angli, për Arsenalin dhe Çelsin, përveçse tre sezone për Barcelonën. Tani në janar, ai do të kalojë në Francë tek Monako.
Fabregas luajti për Arsenalin në moshë shumë të re, kur u transferua nga Barcelona. Në 8 sezone për “topçinjtë”, katalanasi u bë edhe kapiten, ndërsa zhvilloi 303 ndeshje, duke shënuar 57 gola. Ai arriti deri në finalen e Championsit humbur në 2006 pikërisht me Barcelonën.
Nga 2011 deri në 2014 luajti për katalanasit (151 ndeshje, 42 gola), ndërsa pastaj kaloi tek Çelsi, ku zhvilloi 198 ndeshje e shënoi 22 rrjeta. Në karrierë fitoi 15 trofe, nga të cilët 12 me klubet dhe 3 me kombëtaren e Spanjës. “Koha kalon, edhe pse më duket sikur nisa karrierën javën e kaluar, – u shpreh Fabregasi, – mosha ecën dhe fiziku bie, por teknikisht unë ndihem shumë i ri”.
Sfidanti.al