Rroftë Zapata: filmi i pandalshëm – 17 gola në 10 ndeshje!

Duvan Zapata, momentalisht, është sulmuesi më produktiv i botës. Ky futbollist kolumbian ka statistika që nuk i kanë as Mesi, Ronaldo, Levandovski dhe Nejmari… Në 10 ndeshjet e fundit me Atalantën ai ka shënuar 17 gola.
Serinë golashënuese Zapata e nisi më 3 dhjetor kundër Napolit dhe ajo vazhdoi edhe në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Italisë, ku Atalanta eliminoi, as më dhe as më shumë, por vetë Juventusin kampion në fuqi në Itali, madje me rezultatin befasues të thellë
3-0!
Për momentin, ky sulmues kolumbian 27-vjeçar që tek Atlalanta luan si lojtar i huazuar nga Sampdoria, zotëron treguesin – 1,7 gola për ndeshje që nuk e ka asnjë futbollist tjetër. Interesant është fakti se deri në 3 dhjetor, pra, kur Atalanta luajti me Napolin, Zapata kishte shënuar gjithsej katër gola në 19 ndeshje. Zapata ka rastin e mirë që ta vazhdojë serinë golashënuese edhe këtë fundjavë, kur ekipi do të luajë me Kaljarin në fushën e këtij të fundit.
Sfidanti.al