Ronaldo lë pas Mesin, Lebron Xhejmsin, Federerin dhe Kanelo Alvarezin!

Golin që e donte aq shumë ia hoqën për një fije floku, por duket se do të fitojë diçka shumë të madhe. Kristiano Ronaldo e paska të ardhmen në Arabinë Saudite, ndërsa lajmet janë që superylli ka arritur akordin për një kontratë të jashtëzakonshme. Klubi Al Nasr i Arabisë Saudite, sipas raporteve, do t’i japë portugezit një shumë të përgjithshme prej 500 milionë eurosh. Kjo shifër ndahet në një akord 2.5 vjeçar me rrogë prej 200 milionë eurosh në sezon. Kjo do të thotë se Ronaldo do të thyejë çdo rekord financiar në futbollin botëror, pasi as Lionel Mesi dhe as Kilian Mbape nuk kanë pasur ndonjëherë të tillë rrogë dhe as nuk e kanë ëndërruar. Me gjasë është ky rekord milionash që ka përkëdhelur sedrën e 37-vjeçarit dhe e ka bërë që të pranonte një sakrificë të madhe.

Me kalimin në Arabinë Saudite, Kristiano nuk do të jetë më pjesë e skenës së madhe të futbollit, ku ka shkëlqyer prej 20 vitesh, duke fituar 5 Topa të Artë si lojtari më i mirë i botës, po ashtu 5 Champions me Mançester Junajtidin e Realin e Madridit, e duke shkëlqyer si pak të tjerë. Intervista eksplozive e para pak ditëve i dha fund raportit të tij me Man. Junajtidin, një fund logjik pas vuajtjeve të tij dhe pamundësisë për të qenë sërish ylli kryesor i ekipit. Ndoshta, shkëlqimi në këtë Kupë të Botës në Katar është i fundit përpara sesa Kristiano të dalë në pension në Arabinë Saudite. Gjithsesi, portugezi do të ketë rekordin e parave mbi Lionel Mesin, Lebron Xhejmsin, Rozher Federerin dhe Kanelo Alvarezin.

Sfidanti.al