Ronaldo: Kisha pranuar rinovimin me Barçën, por përfundova te Interi

Fenomeni Ronaldo ka biseduar gjatë me Romarion në kanalin e ish-shokut të kombëtares në YouTube. U trajtuan shumë tema, mes të shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes: “Barcelona dhe brazilianët gjithmonë kanë ndarë rrugët me kushte të këqija. Kisha luajtur një sezon spektakolar dhe pranova të rinovoja kontratën, por pesë ditë më vonë më njoftuan se nuk ishte e mundur të vazhdoja dhe më transferuan te Inter. Ishte një grusht në stomak. E doja qytetin”, tha ish-sulmuesi, tashmë 48-vjeç.

“Rivaldo u largua për shkak të një debati, Ronaldinho dhe Neymar gjithashtu. Shikoni historinë që krijoi Barcelona me kaq shumë brazilianë të suksesshëm, por në fund marrëdhënia u përkeqësua dhe përfundoi shumë keq”.

Çfarë duhet të bëjë Brazili për t’u bërë përsëri i frikshëm: “Neymar është një shtyllë e rëndësishme dhe po ashtu Vinícius Júnior. Ne kemi dy lojtarë të mëdhenj, duhet të fillojmë nga këtu, të gjejmë një mënyrë për ta bërë skuadrën të luajë për ta. Vini duhet të ketë më shumë liri që të jetë në gjendje të luajë në maksimumin e tij”.

“Cilësia e Neymar kompenson problemet strukturore që po përjeton kombëtarja dhe futbolli brazilian në përgjithësi. Neymar është një figurë që frymëzon të rinjtë, që ka shumë personalitet në fushë: rrezikon, përpiqet, nuk ka frikë nga goditjet dhe është golashënues. Shpresoj që ai të kthehet në majë. Nëse është mirë, kombëtarja do të përfitojë prej tij”.

sfidanti.al