Pritja madhështore për pak u rrënua, Mesi me shokë rrezikuan jetën!

Ishte gati 2 e gjysmë e natës, por nuk pengoi dot kënd. Dhjetëra mijëra tifozë argjentinas kishin mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar Eseisa në Buenos Aires për t’i dhënë pritjen triumfale ekipit të tyre kombëtar, kampion i botës. Në një nga kremtimet më emocionale, pas pritjes së dytë më të gjatë në histori për Kupën e Botës, populli i kryeqytetit deshi t’u ishte afër Lionel Mesit dhe lojtarëve të tjerë. Kapiteni doli i pari në derën e aeroplanit me trofeun në duar,  fiks në 3 të natës, i ndjekur nga trajneri Skaloni dhe drejtuesi i federatës, Tapia. Gjithsesi, polemika nuk mungoi sepse në ceremoni nuk ishte presidenti Alberto Fernandez, as kryeministri, por vetëm ministri i brendshëm, De Pedro.

Radhët e gjata të njerëzve, me celularët në filmim gjatë gjithë kohës, me daulle e trumpeta dhe me tymuese, shoqëruan autobusin e hapur tradicional, ndërsa transmetimi televiziv ishte i drejtpërdrejtë dhe i pandërprerë nga stacionet argjentinase, por edhe nga ata të vendeve të tjera të botës. Prania e madhe e publikut shpesh pengonte ecjen e autobusit, ndaj edhe një itinerar jo shumë i gjatë u përshkua sikur të ishte orari kulmor i trafikut. Pamjet filmike flasin vetë për natën pa gjumë të kryeqytetit të Argjentinës, dhe me të drejtë. Tifozët kishin 36 vjet që e prisnin këtë triumf botëror, që nga koha e Diego Armando Maradonës. Një sukses për herë të tretë.

Gjithsesi, pati një moment paniku kur Mesi, Paredes, Di Maria, Otamendi dhe De Paul thuajse ranë nga autobusi për shkak të një kablli. Më në fund autobusi mbërriti në selinë e Federatës, shoqëruar nga fishekzjarrët dhe muzika tradicionale argjentinase. Pasdite vonë, në orët e mbrëmjesh në Shqipëri, festa do të jetë e plotë me prani të qindra mijë tifozëve, ndërsa e sotmja është ditë pushimi në Argjentinë.

Sfidanti.al