Presidenti i PSG, Al Kelaifi i përfshirë në skandal korrupsioni në atletikë

Naser Al Kelaifit nuk i mjaftojnë telashet që ka me rregullin e Fair Play Financiar të UEFA. Tani presidentit të Paris Sën Zhermenit i duhet të përballet edhe me akuzat për korrupsion aktiv për të ndihmuar Katarin të fitonte garën për organizimin e Botërorit të Atletikës.

Mësohet se Gjykatësi Van Rimbeke e ka vendosur në radhët e të pandehurve ndërkohë që më parë ai ishte shfaqur në gjykatë në rolin e dëshmitarit. Sipas medias franceze, Al Kelaifi tentoi t’i paguajë ish presidentit të IAAF, Lamin Diak, 3.1 milionë Euro në mënyrë që Doha të fitonte garën për botërorin e Atletikës në 2017, por IAAF vendosi që t’ia japë këtë të drejtë Londrës, ndërsa Katari u desh të priste dy vjet, pasi botërori i Atletikës në Doha do të organizohet në 27 shtator-6 tetor të këtij viti.

Al Kelaifi reagoi nëpërmjet avokatit të tij duke i hedhur poshtë të gjitha këto akuza që ai i konsideron si të pabaza. nuk është hera e parë që mbi presidentin e Paris Sën Zhermenit ngrihen akuza për korrupsion. Në 2017, Al Kelaifi dhe ish sekretari i FIFA, Zherom Valke u akuzuan për dhënien në mënyrë jo të rregullt të të drejtave televizive të Botërorëve 2026 dhe 2030 në favor të platformës ‘BeIN Sports’ në Azi. Procesi gjyqësor për këtë cështje tashmë është hapur dhe ende nuk ka një vendim.

sfidanti.al