Ylli i Kutinjos rilindi për meritë të Xherrardit, dhe të zezën e Man. Junajtidit!

Ishte hera e parë që ai u përfshi në ekip, por natyrshëm nuk u hodh në fushë si titullar. Filip Kutinjos i mjaftoi besimi i trajnerit Stiven Xherrard për ta bërë pjesë të Aston Vilës për sfidën e Premier Ligës ndaj Mançester Junajtidit. Gjithsesi, ylli i brazilianit do të shkëlqente sapo t’i jepej mundësia. Hyri në 68’, krijoi golin për 1-2 në 77’ dhe shënoi golin e barazimit 2-2 në 81’. Një nisje e mrekullueshme për një lojtar që ishte i shkëlqyer tek Liverpuli, por që arriti fundin tek Barcelona. Aston Vila i mori pikën Man. Junajtidit, edhe pse ishte në 0-2 pas golave të Bruno Fernandesit, dhe në fund ishte ekipi më i mirë në fushë, me 55 për qind mbajtje topi, e 12-10 gjuajtjet (9-6 në portë). “Ishte një fillim shumë i mirë për të, – tha Xherrardi, – ne morëm një futbollist shumë cilësor, por tashmë kemi për detyrë ta përgatisim për ritmin dhe shpejtësinë e ndeshjeve. E patëm të vështirë, sidomos në 25’ e para, por pas pushimit reaguam. Nëse do të kishim luajtur 90’ ashtu, do të kishim fituar”.

Sfidanti.al