Liverpuli, njëfarë kohe, gjatë këtij sezoni të Premier Ligës angleze ishte kandidat për titull, por, më pas, shpresat e shuan, për shkak të rezultateve të dobta të tij. Legjenda e “të kuqve”, Xhejmi Karager, sugjeron se ekipi i Jyrgen Klopit mund të bëhet një pretendent serioz. Ish-mbrojtësi i Liverpulit i bëri thirrje klubit të “Enfildit” që të nënshkruajë, gjatë kësaj vere, kontratë me Xhoi Hartin. Në fakt, ky portier që i përket Mançester Sitit, gjatë këtij sezoni, po luan në Serinë A italiane, si lojtar i huazuar në Torino, dhe duket se ai do të kërkojë ndonjë klub të ri në sezonin e ardhshëm, duke qenë se është i padëshiruar nga trajneri i “qytetarëve”, Pep Guardiola.
“Sipas meje, Xhoi Harti i përmbush të gjithë kushtet që të jetë portieri ideal i Liverpulit. Momentalisht, Klopi ka në dispozicion Simon Minjolen dhe Loris Kariusin. Njëri është një portier shumë i mirë, kurse tjetri, ndoshta, një ditë, do të bëhet portier i një niveli të lartë. Por, a janë ata pjesë të elitës? Unë mendoj se jo, kurse Harti, definitivisht, po. Ai ka fituar tituj, ka luajtur në Ligën e Kampioneve dhe ka mentalitetin e duhur që të luajë në një nivel të lartë”, theksoi Karageri.
Sfidanti.al