Usmanovi pa frena …do ta blejë Arsenalin për 2 miliardë sterlina!

Multimiliarderi uzbekistanas, Alisher Usmanov, synon që, me çdo kusht, të bëhet pronar ose aksioner dominues tek Arsenali i Londrës. Dhe, në fakt, fuqia e tij financiare është mjaft e madhe, pasi ky “tajkun” (pasanik) “peshon” plot 11,2 miliardë sterlina të pabesueshme dhe, momentalisht, ai zotëron 30 për qind të aksioneve të përgjithshme të këtij klubi londinez. Tani për tani, aksioner dominues i Arsenalit është amerikani Sten Kronke që, pak kohë më parë, refuzoi një miliard sterlina që i ofroi Usmanovi që ai t’i shiste atij 60 për qind të aksioneve të tij në klubin anglez në fjalë. Por, Usmanovi, sikurse duket, nuk do të heqë dorë lehtë nga përpjekjet e tij dhe planifikon që t’i propozojë Kronkes një ofertë dy herë më të madhe, pra, dy miliardë sterlina! Kështu që tajkunit amerikan do t’i duhet që të mendojë dy herë, para se ta refuzojë ofertën e re mjaft të majme që, në fakt, është gati sa një e katërta e pasurisë së tij të përgjithshme!

Multimiliarderi Usmanov, në përpjekjet e tij për të marrë “frenat” e këtij klubi londinez, shpreson që të ketë mbështetjen edhe të tifozëve të Arsenalit që janë të pakënaqur me mënyrën sesi po e drejton Kronke klubin londinez, qëkur ai e mori përsipër atë, më 2011. Tifozët e Arsenalit, në disa raste, kanë organizuar protesta kundër Kronkes, për shkak të biletave mjaft të shtrenjta, përforcimeve të dobta dhe faktit që ky ekip, gjatë shumë viteve, nuk po arrin që të përfshihet në luftën për titullin e Premier Ligës, pa folur për ato në konkurrimet evropiane.

Sfidanti.al