Mund të kesh në ekip lojtarë të kombëtares si Kejn (kapitenin), Tripierin, Alin, Rouzin, mund të kesh lojtarët e kombëtares belge Alderveireld e Vertongen apo “trurin” e Danimarkës, Eriksen, por sërish të mundesh nga një ekip “i humbur”. Totenhemi e pësoi pikërisht kështu nga “brekëgrisurit” e Uatfordit, një klubi që më shumti e ka shkuar jetën në nivelet e ulëta të futbollit anglez.
Tom Dini dhe Krejg Kathket ishin autorët e golave në suksesin e madh 2-1, që e bëri Uatfordin të mbante ritmin e Liverpulit dhe Çelsit, me 4 fitore radhazi, pra të jetë në krye të Premier Ligës. Një mrekulli në një ligë kaq të vështirë sa ajo angleze, ku “të vegjlit” janë mbi Man. Sitin, Totenhemin, Man. Junajtidin dhe Arsenalin.
Një bekim për futbollin europian, ku në Serinë A nuk po gjejnë dot anti-Juventusin, në Ligën 1 nuk ka asnjë anti-Paris SG, në Bundesligë dominon Bajerni, ndërsa në La Liga, dueli i përjetshëm është Barça-Real dhe anasjelltas.
Sfidanti.al