Bordi i shoqatës angleze të futbollit, FA, dha “dritën e gjelbër” që stadiumi legjendar i Londrës, “Uembli”, t’i shitet pronarit të Fullhemit, miliarderit nga SHBA-ja, Shahid Khan, që thuhet se është gati të paguajë 600 milionë sterlina për të. Si pjesë e marrëveshjes, përfaqësuesja e Anglisë do të vazhdojë t’i zhvillojë ndeshjet e saj në “Uembli”, ndërkohë që në këtë stadium do të vazhdojnë që të luhen edhe ndeshjet e FA Kupës dhe ndeshje të tjera prestigjioze. Emri i stadiumit nuk do të ndryshojë. Sidoqoftë, FA-ja do të ruajë biznesin me hotelet, restorantet dhe objektet e tjerë, nga të cilët kjo shoqatë pret që të fitojë rreth 300 milionë sterlina në vit në të ardhmen.
Propozimin në fjalë do ta shqyrtojë më 11 tetor këshilli i FA-së. Sidoqoftë, për shitjen e stadiumit “Uembli” duhet të japë miratimin e vet edhe qeveria angleze që ka dhënë 120 milionë sterlina për rinovimin e “Uemblit” që ka kushtuar gjithsej 757 milionë sterlina.
Sfidanti.al