Totenhemi më në fund erdhi në vete, kërkon si trajner Nunjo Santon

Provoi disa, por nuk “qullosi” gjë me asnjërin. Presidenti i Spërsave, Daniel Levi, u lodh shumë me Maurisio Poçetinon, Antonio Konten, Paulo Fonsekën dhe Xhenaro Gatuzon, por duket se ka gjetur një emër për të qenë për stolin, portugezin, Nunjo Espirito Santon. Ish-trajneri i Uolvesit, që u largua nga detyra pak javë më parë, është përfolur si kandidati më i mundshëm për tek Totenhemi, që dëshpërimisht kërkon të kalojë këtë krizë. Portugezi ishte në bisedime edhe me Kristël Palasin dhe Evertonin, por ndoshta detyra tek Spërsat mund t’i duket më e mirë. Drejtori i ri sportiv i klubit, Fabio Paratiçi, favorizon pikërisht Nunjo Santon i cili prodhoi futboll sulmues tek Uolvesi duke u kualifikuar për në Ligën e Europës. Tekniku 47-vjeçar e njeh mirë Premier Ligën, po ashtu e ka shijuar futbollin europian, ndërsa di të marrë skuadra me probleme dhe t’i bëjë më të mira. Totenhemi kërkon trofe sa më shpejt, ndërsa duhet të bindet Harri Kejn për të mos u larguar, ndonëse nuk dihet nëse kjo mund të arrihet.

Sfidanti.al