Totenhemi mbi Arsenalin në vend të 8-të, Murinjo kërkon 5 vjet kohë sa Klopi!

Fjalët i tha përpara sesa skuadra e tij të dilte në fushë për derbin e Londrës. Zhoze Murinjo nuk pranoi kritikat mediatike se ai nuk po arrin sukses tek Totenhemi, dhe u përgjigj se “sa kohë iu desh Klopit për të dalë kampion tek Liverpuli?” Trajneri gjerman pati nevojë për 5 vjet për të fituar Premier Ligën e 4 vjet për të fituar Championsin, ndërsa portugezi theksoi se “në 5 vjet, edhe unë do t’i jap një kupë Totenhemit”. Natyrisht, karriera e tij të bën të mendosh që edhe mund t’ia dalë, pasi fitoi trofe me Porton, Çelsin, Interin, Realin, Çelsin sërish dhe Mançester Junajtidin, me titullin e fundit arritur në 2015 me Blutë e Londrës. Nga ana tjetër, “gjelat” londinezë nuk janë nga ata që dinë të fitojnë shumë trofe, ndonëse ky sezon në krahasim me vitet e Maurisio Poçetinos është një dështim.

Për momentin, Murinjo duhet të kënaqet që Totenhemi arriti vendin e 8-të të renditjes së Premier Ligës, me fitoren 2-1 ndaj Arsenalit. Lakazetë kaloi “topçinjtë” në avantazh, por koreanojugori Son barazoi dhe mbrojtësi Alderveireld shënoi golin e fitores për Spërsat në 81’. Ben Dejvis i Totenhemit dhe Obamejang për Arsenalin goditën shtyllën. Totenhemi ka 52 pikë ndaj 50 të rivalëve, ndërsa zona Champions është praktikisht e paarritshme.

Sfidanti.al