Totenhemi i Kejnit, si ata të Ramsejt, Grivsit, Hodëllit e Gaskoinit

Totenhemi thuajse kurrë nuk është cilësuar si pretendent për titullin në Angli. Heroizmat e vetme të “Spërsave” kanë ndodhur në vitet shumë të largëta 1951 dhe 1961, kur ende as Bitëllsat nuk ishin bërë të famshëm. Vetën në ata dy raste, skuadra nga Londra Veriore ka arritur të shpallet kampione. Në Premier Ligë, formatin e nisur në fillim të viteve 90-të, “gjelat” nuk kanë pasur asnjë shans, edhe pse Totenhemi ka qenë gjithnjë skuadër e respektuar për kupat angleze dhe në kupat e Europës.

Dy herë fituesja e Kupës UEFA, një herë fituese e Kupës së Kupave, 8 herë fituese e Kupës së Anglisë dhe gjysmëfinaliste e Kupës së Kampionëve (sot Champions), këtë sezon duket se kërkon të realizojë një tjetër “trimëri”. Një titull i tretë në historinë 135-vjeçare vështirë se mund të arrihet, por një kualifikim për në Champions është plotësisht i mundshëm.

Fitorja 1-0 ndaj Midësllbrout në “Uajt Hart Lejn”, falë një goli me penallti të Harri Kejnit, bëri që Spërsat të dalin të vetëm në vend të dytë me 50 pikë, 9 më pak sesa Çelsi, por tre më shumë se Arsenali që u mund në “Stemford Brixh”. Skuadra e trajnerit Poçetino ia ka dalë të mposhtë edhe Çelsin kur vizitoi “Uajt Hart Lejnin”, pra nuk i mungon aspak besimi.

Harri Kejn është kthyer në një simbol, si dikur Alf Ramsej, që më vonë u bë “Sër” dhe doli kampion bote me Anglinë si trajner. Po ashtu si Bill Nikolson, njeriu-legjendar që e nisi si mbledhës topash dhe përfundoi si president, pasi ishte lojtar i madh dhe trajneri më i madh i klubit. Kejn po i ngjall tifozëve (atyre që e mbajnë mend) epokën e Xhimi Grivsit e Blançflauerit të viteve 60-të, të Glen Hodëllit, Kris Uodëllit, Arçiballdit, e deri Geri Linekerit e Pol Gaskoinit.