Lideri i Realit, Ronaldo, ka një mesatare prej vetëm 0.61 golash të realizuar për ndeshje, duke i hequr ata të shënuar me penallti. Ndërkohë, në 25 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet, numëron 20 gola, 13 prej të cilëve në kampionat. Gjithashtu, ai ka një rënie të ndjeshme të triumfit në duelet ajrore. Vetëm një vit më parë ishte dominues ndaj kundërshtarëve, me 56.5% të dyluftimeve në favorin e tij, por sivjet ka pasur një zbritje në 44.8%.
E mbani mend Kristianon që kur kishte topin në zotërim, dukej i pakapshëm për shkak të shpejtësisë dhe aftësisë për të kaluar kundërshtarët? Tashmë, janë shumë të tjerë që paraqiten më mirë se ai në këtë aspekt. Saktësisht, në kampionatin spanjoll, plot 99 lojtarë kanë të dhëna shumë më të larta sa u përket driblimeve të suksesshme. Ka qenë forma në rënie e CR7-s që ka ndryshuar deri diku edhe stilin e tij të lojës, i cili nuk përshtatet më me aksionet individuale.
Një tjetër element është edhe saktësia e gjuajtjeve në kuadrat, që arrijnë të konkretizohen në gol. Në vitin e tij të parë në Madrid, ai kishte nivelin më të dobët, kur arriti të shënonte 10.68% të gjuajtjeve në portën kundërshtare. Që prej asaj kohe, kjo statistikë pati një rritje me të vërtetë të ndjeshme, deri në 20%. Por, sivjet është rikthyer të zbresë në norma të ulëta, pasi ka dërguar në rrjetë vetëm 11.39% të tentativave.