Totenhemi fiton “derbin e shishes”, dominon Londrën e Veriut

Për shumë vjet, Arsenali është quajtur skuadra dominuese e Londrës së Veriut. Një fatkeqësi kjo për Totenhemin, fqinjin e tij verior, por së fundmi kohët kanë ndryshuar. Spërsat e trajnerit Poçetino ia dolën 2-0 brenda në stadiumin “Emirejts”, duke u kualifikuar në Kupën e Ligës angleze. Koreanojugori Son dhe sulmuesi i Anglisë, Dele Ali, ishin autorët e golave, në një ndeshje që do të mbahet mend për gjuajtjen me shishe ndaj Alit, nga një tifoz vendas.

Shishja plastike e goditi në kokë dhe ai nuk e mbajti dot veten pa reaguar, duke ngritur gishtat e dy duarve, për të formuar rezultatin 2-0. Pas takimit, Ali ishte më i qetë duke thënë se “i respektoj tifozët e Arsenalit, pasi ata nuk mund t’i përfaqësojë një budalla i vetëm”. Autoritetet u shqetësuan për tifozët, pasi kohët e fundit kanë ndodhur jo pak incidente. Tifozë të Çelsit u akuzuan për antisemitizëm, ndërsa më herët këtë muaj, një tifoz i Totenhemit u dënua me 4 vjet larg stadiumeve, dhe 500 paund stërlina, sepse i hodhi një lëkurë bananeje sulmuesit të Arsenalit, Pjer-Emerik Obamejang.

Sfidanti.al