Garet Bejl do Botërorin e klubeve dhe rekordin e Ronaldos!

Quhet njeriu i finaleve dhe jo më kot. Sado në krizë të jetë, herë-herë, sado me këmbë prej “porcelani”, sërish Garet Bejli mbetet një talent i madh. Që nga goli i shkëlqyer në finalen e Championsit ndaj Liverpulit, tek tregolëshi në gjysmëfinalen e Kupës së Botës së klubeve, kanë kaluar vetëm disa muaj dhe uellsiani tregoi sërish se kur është në formë fizike, di të bëjë mrekulli.

Reali fitoi 3-1 ndaj Kashima Antlersit, kampiones së Azisë nga Japonia, ndërsa tani është fare pranë fitores së Kupës së tretë radhazi të Botës për klubet. Finalja paraqitet si “bukë e djathë”, të paktën në letër, pasi aty nuk e pret River Plejti, por skuadra nga Gjiri Persik, Al Ain e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ajo u kualifikua me penallti ndaj argjentinasve, dhe do ta luajë finalen në fushën e saj.

Bejli, ndërkaq, kërkon të barazohet me Kristiano Ronaldon, për numrin e golave në fazën finale të këtij turneu. Uellsiani ka 6 rrjeta, ndërsa portugezi ka shënuar 7.

Sfidanti.al