Tifozët e Arsenalit kërkojnë largimin e Vengerit në “Tajm Skuer” të Nju Jorkut!

Thirrjet e tifozëve që Arsen Vengeri të largohet, përfundimisht, nga stoli i drejtimit të Arsenalit, kaluan edhe oqeanin Atlantik., ndërkohë që mënyra e re që kanë gjetur tifozët e këtij klubi anglez për ta larguar Vengerin nga klubi i tyre, me të vërtetë, është origjinale dhe unike. Kështu, në një billbord gjigant, të vendosur në sheshin e famshëm të Nju Jorkut, “Tajm Skuer”, kalimtarët e rastësishëm, tani, mund të shohin një pamje të pazakontë, ku tregohen tre tifozë të Arsenalit që kërkojnë largimin e Arsen Vengerit, duke mbajtur shënimin “Venger out” (Venger, jashtë).

Arsenali ka humbur pesë nga tetë ndeshjet e fundit në Premierë Ligën angleze dhe, midis tifozëve të këtij ekipi, po përhapet, gjithnjë e më shumë, opinioni se ka ardhur tamam koha për largimin e tij. Në fakt, nuk është hera e parë që mesazhi i refuzimit drejtuar Vengerit lëshohet nga jashtë Anglisë, pasi mesazhe të tilla, në forma të ndryshme, janë bërë, ditët e fundit, edhe në Indi, Zelandën e Re dhe Majami.