Një teknologji e re do të përdoret për herë të parë në Premier Ligë, por jo për të ndihmuar arbitrimin. Do të jetë televizioni Skaj (Sky) që do të vendosë të ashtuquajturën “Kamerën Merimangë” (Spidercam) në ndeshjen kryesore të javës në Angli, atë Mançester Junajtid-Liverpul në “Old Traford”. Teknologjia, e quajtur ndryshe edhe “Syri i zogut” është përdorur me sukses nga televizioni në Kupën e Botës 2010, në Kupën e Botës në regbi, në sportin e kriketit, si dhe në Ligën e Kampionëve.
Kamera është e varur në mes të fushës, me ndihmën e katër kabllove të fiksuar në secilin cep të fushës, dhe që manovrohet nga një punonjës i caktuar. Ajo ndihmon për pamje të veçanta në çdo pjesë të sipërfaqës së fushës së futbollit, me lartësi që ndryshojnë nga 10 deri në 40 metra mbi të. Autoritetet dhanë lejen për diçka të tillë, ndërsa “Kamera Merimangë” pritet që të përdoret edhe më gjerësisht në të ardhmen.