Në vijën e parë janë tre lojtarë të rinj në moshë, tepër të shpejtë dhe që dinë të shënojnë. Mançester Junajtidi ka në sulm treshen Markush Rashford-Antoni Marsial-Mejzën Grinvud, të cilët së bashku kanë realizuar 58 gola këtë sezon, më shumë sesa treshja e madhe e Liverpulit (Salah-Mane-Firmino) apo sesa ajo e Juventusit (Ronaldo-Dibala-Higuain). Gjithsesi, skuadra e trajnerit Solskjer është duke vuajtur për të hyrë në katërshen e parë të Premier Ligës, ndërsa Liverpuli u shpall kampion e Juventusi është pranë titullit.
Si ka mundësi të ndodhë kjo gjë? Opinionistët thonë se Junajtid ka probleme në mbrojtje, dhe se gjysma e sezonit i shkoi kot për shkak të konflikteve me Pogbanë e dëmtimin e francezit, ndërsa Bruno Hernandes erdhi vetëm në janar. Rashford ka shënuar 21 gola, po aq sa Marsial, ndërsa Grinvud ka 18 gola, diçka shumë e respektueshme duke pasur parasysh se ai është vetëm 18 vjeç. Ata kanë lënë pas edhe treshen sulmues të Realit (Vinisius-Hazar-Benzema) që ka 30 gola, atë të Dortmundit (Rojs-Sanço-Haland) me 48, ndërsa janë lënë pas vetëm nga treshja e Barcelonës (Mesi-Suarez-Grizman) që ka shënuar 60 gola.
Sfidanti.al