Stoli i Çelsit si “Brexit”, kush do të jetë trajneri i bluve?

Tereza Mej po heq keq për të gjetur formulën e daljes nga BE-ja, për të realizuar “Brexit”-in e famshëm, ndërsa presidenti i Çelsit, Roman Abramoviç, nuk po i jep “dum” një çështjeje kardinale, cili do të jetë trajneri i bluve sezonin e ardhshëm.

Kanë kaluar 50 ditë që nga fitimi i Kupës së Anglisë, e duhet edhe një javë që të fillojë stërvitja për edicionin e ri, dhe as Antonio Konte nuk është shkarkuar zyrtarisht, as Mauricio Sarri (apo dikush tjetër) nuk është emëruar në vend të tij. Italiani pritet ende që të mos vazhdojë në detyrë, por kërkon 10 milionë euro minimalisht si dëmshpërblim. Napoli nga ana tjetër, kërkon miliona euro për të lënë të lirë Sarrin (edhe pse ka marrë në vend të tij Ançelotin).

Një kaos i vërtetë, ndërsa mediat britanike shkruajnë se Konte ka bërë gati edhe planin e fazës përgatitore për yjet e tij, që mund të mos jenë më të tij. Italiani fitoi titullin sezonin e parë dhe kupën në të dytin, por besohet se nuk shkon mirë me Abramoviçin.

Sfidanti.al