Spanja, Gjermania, Holanda dhe Italia, Vardi i zgjedh “viktimat”

Në moshën 25-vjeçare ishte ende një lojtar joprofesionist, si dhe një teknik që merrej me pajisjet mjekësore. Xhemi Vardi, në atë kohë, s’ishte gjë tjetër veçse njëri nga mijëra djem anglezë që luajnë futboll thuajse për qejf, që nuk jetojnë keq, por që nuk kanë xhepa shumë të thellë e me shumë para.

Sot, ndërsa ka mbushur 31 vjeç, jeta e tij është kaq shumë e ndryshuar, saqë duket sikur ka ndodhur ndonjë mrekulli. Kampion i Anglisë me Leisterin, lojtari më i mirë i Premier Ligës në 2015 me Leisterin, një nga shënuesit më të mirë, dhe rekordmen i Premier Ligës me 11 ndeshje radhazi me gol. Rroga e tij sot është rreth 100 000 paund stërlina në javë, që do të thotë mbi 5 milionë paund stërlina në vit, një pasuri e vërtetë.

Me kombëtaren e Anglisë më në fund ka arritur të luajë 21 ndeshje dhe të shënojë 7 gola. Mediat britanike bëjnë shaka se Vardi i zgjedh “viktimat”, pasi në emër të Anglisë ka shënuar në portën e Spanjës, Gjermanisë, Holandës dhe tani Italisë. Po ashtu, në Premier ka shënuar ndaj 6 ekipeve të vendeve të para.

Ndryshimi i Xhemit është dramatik. Tek Stokbrixh Parku, në moshë fare të re, ai fitonte vetëm 30 paund stërlina në javë (që do të thotë as 50 000 lekë të vjetra shqiptare). Tek Flitvud Tauni në 2011, ai fitonte 850 paund stërlina në javë, më pak se 50 000 paund në vit, një rrogë që ishte mjaft e mirë për një punonjës të thjeshtë. Kapërcimi i madh ndodhi në 2012, kur Leisteri e mori duke paguar 1 milionë paund për kartonin e tij, një rekord për një lojtar joprofesionist. Aty i dhanë rrogën 45 000 paund në javë, dhe prej atij momenti filloi jeta e Xhemi Vardit prej futbollisti të shquar profesionist në Angli, dhe prej milioneri.

Sfidanti.al