Mançester Junajtidi po përgatitet për sezonin e ardhshëm nën drejtimin e trajnerit Ole Solskjer, ndërkohë që në ekip po bëhet një “remont” i përgjithshëm, pra do të bëhen shumë lëvizje lojtarësh. Sidoqoftë, një nga futbollistët që duket se ka të sigurt vendin në formacion, është Entoni Marsial. Ky futbollist francez, në fakt, kur ekipin e drejtonte Zhoze Murinjo, u bë gati që të ikte nga “Old Traffordi”, por mbas shkarkimit të trajnerit portugez dhe ardhjes së Solskjerit, për Marsialin erdhën ditë të mira.
Trajneri norvegjez i “djajve të kuq” nuk e fsheh kënaqësinë e tij nga mënyra sesi po i zhvillon përgatitjet Marsiali, të cilin Solskjeri, siç duket, ka në planqë ta shfrytëzojë edhe si sulmues.
“Entoni mund të bëhet një sulmues i klasit botëror. Ai po stërvitet në një mënyrë të jashtëzakonshme, më tepër se parë, kështu që mund të thuhet se bëhet fjalë një Marsial ‘të ri’, sepse tani ai, krahas cilësisë dhe talentit, po nxjerr në pah edhe zellin dhe përkushtimin e tij të madh në stërvitje”, deklaroi Solskjer.
Sfidanti.al