Trajneri i Arsenalit në fillim të sezonit kishte deklaruar se ishte i entuziazmuar nga fakti se do të përballej me disa prej trajnerëve më të mirë në botë. Por sipas tij, asnjë prej tyre nuk ka arritur të prodhojë ndeshjet e paharrueshme për kampionatin anglez.
“Jemi në mes të një kampionati ku konkurrojnë trajnerët më të mirë në botë dhe ka qenë zhgënjyes në çdo këndvështrim të mundshëm. Mendohej se do të ishte një vit i jashtëzakonshëm, por nuk kemi arritur të prodhojmë ndeshjet për të cilat njihet futbolli anglez.
Një sezon në Angli shquhet gjithmonë për 2-3 ndeshje të shkëlqyera, që janë absolutisht spektakolare dhe deri tani ne nuk kemi dhuruar asnjë të tillë. Mendoj se ky turne ka ende shumë më tepër për të dhënë nga sa kemi shfaqur deri tani dhe këtu po përfshij edhe veten”, tha tekniku francez i “topçinjve”.
“Kemi përgjegjësinë të rritim nivelin e lojës spektakolare. Por meqë ka kaq shumë para në Premier Ligë dhe çdo ndeshje është bërë kaq e rëndësishme, çdo trajner është nën trysni dhe të mos humbë është kthyer në prioritetin e tij”, deklaroi Venger.