Shtutgarti mundet 3-0, jo keq si fillim për Liverpulin e Klopit!

Koha rrjedh shpejt këtë vit, ndërsa epidemia e koronavirusit la në dispozicion shumë pak kohë. Liverpuli nisi ndeshjet përgatitore, ndërsa bëhet gati për sezonin e ri, dhe dalja e parë në fushë ishte një festë. Kampionët e Anglisë triumfuan 3-0 në Austri ndaj Shtutgartit, pra ndaj skuadrës gjermane që duhet të jetë më përpara sesa ata në formën e arritur deri tani. Roberto Firmino shënoi golin e parë, Nabi Keita realizoi të dytin, pasi Firmino dha asistin me një goditje me takë, dhe i riu Rajan Brujster ishte autor i golit të tretë. Trajneri Jurgen Klop hodhi në fushë një formacion të fortë, në përbërje të të cilit ishin edhe Salah, Mane dhe Van Dajk. Në fushë, si titullar, edhe prodhimi i akademisë Kërtis Xhons. Pas pushimit, në mes të shiut-rrebesh të Austrisë, Klopi ndryshoi formacionin duke u dhënë mundësi të rinjve, dhe Liverpuli sërish luajti mirë. Të martën, të kuqtë kanë miqësoren e dytë, më serioze se të parën, pasi do të luajnë ndaj gjysmëfinalistes së Championsit, Lajpcigut.

Sfidanti.al