Lester Siti, kampion i Anglisë, e kaloi me një humbje minimale 1-0 ndeshjen e parë çerekfinale me Atletikon e Madridit në fushën kundërshtare. Mbas përfundimit të ndeshjes, trajneri i “dhelprave”, Kreg Shekspir, nuk ishte shumë i zhgënjyer nga humbja, ndërsa theksoi se, nëse atij do t’i ishte ofruar humbja 1-0 para ndeshjes, ai do ta kishte pranuar atë me kënaqësi. “Jam i sigurt se, nëse dikush do të ma kishte ofruar humbjen 1-0 para ndeshjes, unë do ta kisha pranuar atë me të dy duart. Ne, në Madrid, erdhëm me të vetmin qëllim, që të shënonim një gol, por ne e pamë edhe një herë tjetër sesa ekip i fortë është Atletiko e Madridit. Megjithatë, unë mund të them pa frikë se ne jemi akoma gjallë”, tha Shekspiri. Ndeshja revansh mes të dy ekipeve do të zhvillohet të martën e ardhshme në stadiumin “King Pauer” të Lesterit.
sfidanti.al