Nuk kishte ndodhur ndoshta kurrë që emërimi i një trajneri, dhe lëvizja e tij e parë, të sillnin një konflikt kaq të ashpër me një klub rival. Këtë qe në gjendje ta bënte Mauricio Sarri, trajneri i ri i Çelsit, që menjëherë solli në Londër dhe ish-lojtarin e tij tek Napolit, Zhorzhinjon. Futbollisti i kombëtares së Italisë i kishte dhënë fjalën, më parë, Mançester Sitit, dhe Pep Guardiola u ndje tepër i ofenduar.
Siti akuzoi Napolin dhe Çelsin se e kishin kërcënuar lojtarin, që u bashkua me blutë për 57 milionë paund stërlina (afërsisht 63 milionë euro). Sipas Sitit, Napoli e paralajmëroi Zhorzhinjon se, nëse nuk do të pranonte Çelsin, do të mbahej me forcë në “San Paolo” për dy vitet e mbetura në kontratë. Kjo, edhe pse Siti ofroi më shumë para për kartonin e tij. Nuk dihet nëse Guardiola do të ankohet në UEFA për një veprim të tillë.
Sfidanti.al