Çelsi i Londrës bëri autokritikë pas humbjes së të shtunës, dhe Antonio Konte mund të marrë frymë pak më qetë. Gjithsesi, mbrëmja e së martës në Angli pati protagoniste jo skuadrën kampione, por një ekip shumë më modest si Bërnli. Të besuarit e trajnerit Shon Dajtç mundën Stou Sitin 1-0 dhe u ngjitën në vendin e katërt në renditjen e Premier Ligës. Zëvendësuesi Eshli Barns vendosi fatin e ndeshjes me një gol të vonshëm, në minutën e 89-të, për t’i dhënë fitoren vendasve në stadiumin “Tërf Mur” të përmbytur nga shiu.
Skuadra historike 135-vjeçare nderoi stadiumin e saj 134-vjeçar me një fitore të rëndësishme dhe me një pozicion prestigjioz në renditjen e kampionatit, pikërisht 4 pikë prapa Çelsit që fitoi 3-1 në fushën e Hadërsfildit (golat nga Bakajoko, Uillian, Pedro). Sidoqoftë, pavarësisht se Bërnli sot është ekip modest i një qyteti të vogël, ai ka një histori të madhe. Bërnli ka dalë dy herë kampion i Anglisë (1921, 1960) ka fituar Kupën e Anglisë, dy herë Superkupën, si dhe ka dalë në çerekfinale të Kupës së Kampionëve (sot Champions).
Sfidanti.al