“Premier 2018”, Siti e Liverpuli e mbyllin në barazim, 88-88!

Ishin skuadrat më të mira të vitit kalendarit 2018. Mançester Siti dhe Liverpuli janë më të fortat skuadra të Premier Ligës edhe sipas statistikave, me “qytetarët” që dolën kampionë në maj, dhe të kuqtë që ishin në krye të dhjetor.

Djemtë e Pep Guardiolës dhe Jurgen Klopit mblodhën nga 88 pikë, në 37 ndeshje kampionati, ndërsa Siti është pak më mirë me golat, 99-31 golaverazhi ndaj 84-22 të rivalit të madh. Totenhemi ka qenë shumë pranë dy gjigandëve në 2018, me 85 pikë, pra vetëm 3 më pak, duke treguar punën e madhe të trajnerit Maurisio Poçetino.

Liverpuli pati në radhët e veta shënuesin më të mirë të vitit 2018, Mohamed Salahun, që realizoi 28 gola dhe shërbeu 12 asistë. Pjer-Emerik Obamejang i Arsenalit është i dyti me 23 gola e 7 asistë, por ish-sulmuesi i Dortmundit është më efikasi në raportin gola/gjuajtje.

Sfidanti.al