Uestbruk, “autokritikë” madhështore me një tripëll dabëll

“Jam lodhur duke i lënë në baltë shokët e mi”. Rasëll Uestbruk ishte një njeri i dëshpëruar pas humbjes së Oklahomës në fushën e Dallasit, disfatë që erdhi kryesisht për shkak të lojës së tij të dobët. Gjithsesi, ylli i madh ishte i vendosur të reagonte dhe rasti i erdhi në ndeshjen po ndaj Dallasit, këtë herë në Oklahomë. Uestbruk, lojtari më i mirë i NBA-së dy sezone më parë, shënoi 32 pikë (13-24 në gjuajtje), si dhe kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 11 asistë. Ishte tripëll dabëlli i 10-të sezonal për të, dhe i 114-ti në karrierë. Për më tepër, basketbollisti me numrin 0 vodhi edhe 4 topa, ndërsa Oklahoma fitoi 122-102.

Shumë lojtarë të tjerë të Oklahomës luajtën mirë, sidomos Pol Xhorxh me 22 pikë. Ylli mik, Luka Donçiç, këtë herë nuk mundi të ishte në lartësinë e duhur, pasi shënoi 17 pikë, kapi 6 topa në tabela dhe shërbeu 3 asistë. Gjithsesi, slloveni luajti vetëm 22 minuta. Më i miri i Dallasit ishte Harrison Barns me 25 pikë në 29 minuta. Oklahoma është e treta në Perëndim në pozita thuajse të barabarta me Golden Stejtin e vendit të dytë, 23 fitore e 13 humbje.

Sfidanti.al