Para derbit mançesteras, trajneri i Sitit, Pep Guardiola, pohoi se ser Aleks Fergusoni kishte dashur që ai ta pasonte atë në “Old Trafford”, më 2012, madje, ia kishte thënë këtë gjë atij personalisht.
“E di që kuptimi i asaj që më tha, ishte që unë ta pasoja atë në stolin e drejtimit të Mançester Junajtidit, por unë nuk e kuptova atë deri në fund, sepse ai fliste shpejt, kurse anglishtja ime, atëkohë, ishte edhe më keq sesa kjo e tanishmja. Atëkohë, Fergusoni më tha që ta zëvendësoja unë te Junajtidi, por unë, tanimë, ia kishe dhënë fjalën Bajernit të Mynihut”, zbuloi Guardiola. Megjithatë, ai përfundoi në anën tjetër të Mançesterit, te Siti, të cilin ai e ka marrë përsipër para dy viteve, duke ardhur nga Bajerni, ku kishte shkuar nga Barcelona. “Kur vendosa që të largohem nga Bajerni, Siti ishte më konkret në ofertën e tij dhe ne, shumë shpejt, u morëm vesh. Me të vërtetë, mua nuk më vjen aspak keq që jam në këtë klub”, tha Guardiola.
Sfidanti.al