Pogba po niset me pushime, ylli francez nën “skanerin” e Murinjos!

Ishte vetë Zhoze Murinjo që e riktheu në “Old Traford” që nga Juventusi për rreth 100 milionë euro apo diçka më shumë, veçse edhe një yll i këtyre përmasave nuk ka asgjë të sigurt tek Mançester Junajtid. Pol Pogba ka marrë një porosi nga trajneri i tij që të largohet nga grumbullimi i skuadrës dhe të bëjë 10 ditë pushim. Murinjo gjykon se 24-vjeçarit do t’i bëjë më mirë të kalojë bukur këto ditë përpara sesa të nisë fazën e riaftësimit, gjithnjë duke shpresuar që ai të kthehet më i përqëndruar tek profesioni i tij. Kritikat kanë qenë të shumta për mënyrën e lojës së Pogbasë, që duket se më shumë bën akademi sesa lufton në fushë.

Murinjo ia dha një paralajmërim indirekt, pasi e kishte kritikuar për paraqitjet e kohëve të fundit. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjevë të fundjavës, portugezi u shpreh se “nuk kam ndërmend të qaj për Pogbanë, Junajtid ka aq lojtarë dhe aq karakter sa t’ia dalë edhe pa të”. Besohet se francezi do të mungojë 6 javë, ndonëse Zhozeja u tregua enigmatik. “Nuk e di vërtet se kur do të kthehet”, – ishin fjalët e tij.

Sfidanti.al