Skandali që përfshiu trajnerin e Kombëtares së Anglisë, Sem Ollërdajs dhe që solli shkarkimin e tij nga pankina e “Tre Luanëve” ka kaluar në plan të dytë, me rikthimin e Big Sam në një post prestigjioz. Tekniku kontrovers, që ra pre e një investigimi gazetarësh mbi manovrat dhe konsulencën ilegale për transferimet e futbollistëve, është konfirmuar si menaxheri i ri i Kristal Palas. Sem, që më parë ka drejtuar ekipe si Bolton Uonderers, Blekburn Rovers dhe Uest Hem, pason në pankinën e Palas, trajnerin Alan Pardië, që u shkarkua nga drejtuesit e klubit për rezultate të dobëta.
“Ne jemi shumë të lumtur që kemi arritur të firmosim kaq shpejt dhe me një trajner të kalibrit të tillë. Eksperienca e Sem Ollërdajs do të jetë shumë e vlefshme”, tha presidenti i klubit, Stiv Perish, mbi timonierin e ri të ekipit anglez. Kështu, tekniku rikthehet në futboll për herë të parë pasi humbi pozicionin më të rëndësishëm të karrierës, atë si trajner i Anglisë. Ai dha dorëheqjen pas videos, ku shfaqej sesi këshillonte gazetarë të prezantuar si menaxherë, që të shmangnin rregullat e FIFA-s mbi transferimet.