Quhet Aleksis Sançez, është “muzikë në veshë” për Arsen Vengerin dhe tifozët e Arsenalit, por rrezikon burgun. Mediat spanjolle njoftojnë se sulmuesi nga Kili ka bërë “hile” në pagimin e taksave dhe i detyrohet shtetit spanjoll afërsisht 1 milionë euro. Bëhet fjalë për detyrime fiskale për të drejtat e imazhit, në kohën kur luante për Barcelonën.
Flitet për gati 600 mijë euro në 2012 dhe pjesën tjetër në 2013, të cilat janë shmangur me disa “manovrime” për të cilat padyshim është këshillluar nga juristë. Gjithsesi, nuk ka mundur të shpëtojë plotësisht dhe tani në veprim ka hyrë prokuroria. E vetmja gjë që mund ta ngushëllojë sado pak Sançezin është se ai nuk është i vetmi mëkatar i këtij lloji.
Më herët, vetëm tek Barcelona, shkuan në gjyq Lionel Mesi dhe Havier Maskerano, të cilët i shpëtuan burgut për “vrimat” në ligjet spanjolle, ndërsa proceset e Emanuel Etosë dhe Adrianos janë ende në vazhdim e sipër.
B. Kuka