Një tifoz i Mançester Junajtidit kërkon të blejë Çelsin!

Ndjenjat nuk hyjnë fare këtu. Xhim Ratklif, një miliarder anglez, dëshiron të blejë Çelsin e Londrës nga Roman Abramoviçi. Mediat britanike njoftojnë menjëherë se ai është tifoz i Mançester Junajtidit, por ama ndjek ndeshjet e bluve në “Stemford Brixh”, pasi i ka fare afër shtëpisë së tij në kryeqytet. Ratklif ka një abone vjetore dhe shkon të argëtohet të paktën një herë në dy javë.

Abramoviç, për momentin, nuk dëshiron të shesë aksionet dhe e ka hedhur poshtë kërkesën e Ratklifit, pasuria e të cilit vlerësohet në mbi 20 miliardë paund stërlina (rreth 23 miliardë euro). Miliarderi rus nuk dëshiron të mbetet pa “lodrën” e tij të preferuar, pavarësisht nga problemet me vizën e tij britanike.

Ratklif ka një pasuri dy herë më të madhe sesa Abramoviç, që zotëron aksionet e Çelsit prej 15 vitesh, por që mund të detyrohet t’i humbasë për shkak të tensioneve të mëdha politike mes Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sfidantia.al