Një “galatik” largohet nga Siti, por kërkon Championsin si dhuratë

David Silva ka qenë një yll tek Spanja dhe tek Mançester Siti, dhe ai dëshiron të mbahet mend si i tillë. Në moshën 33-vjeçare, dhe me problemet familjare që pati në të kaluarën, mesfushori me klas po mendon se është mirë që të mendojë largimin nga një “Olimp”, siç është skuadra e Guardiolës dhe Premier Liga angleze.

“Ky është sezoni im i fundit, – u shpreh David Silva, – 10 vjet për mua janë mjaft, madje është numri i duhur, është koha e duhur për të ikur. Klubi donte të më jepte 2 vjet kontratë, por unë vendosa vetëm për një. Nuk mendoj se do të luaj ndonjëherë kundër Sitit në karrierën që më ka mbetur”. Silva u mor në 2010 nga Valencia për 26 milionë paund stërlina, dhe fitoi 4 tituj kampion, dy Kupa të Anglisë dhe 4 Kupa të Ligës. Tashmë, i mjafton vetëm diçka. “Nuk kam mundur të fitoj Championsin, – shprehet ai, – por, si gjithnjë, do ta synoj këtë vit”.

Sfidanti.al