Arsen Venger edhe mund të largohet këtë verë. Trajneri francez 68-vjeçar me shumë gjasë nuk do të përballojë një tjetër sezon nën nivel dhe në vend të tij Arsenali ka menduar një “babagjysh” më të ri. Flitet se ky është “babaxhani” Karlo Ançeloti, i shkarkuar vjeshtën e kaluar nga Bajerni, por tepër i vlerësuar pasi ka fituar tri herë Championsin (Milan 2, Real 1). “Karleto” është 58 vjeç, pra 10 vjet më i ri se Venger, ndonëse të jep përshtypjen vërtet të një gjyshi.
Lajmet janë që italiani është larguar nga Gjermania dhe nuk është vendosur në Itali, por në Londër, qytet ku ka bazën edhe Arsenali dhe që ai e njeh shumë mirë. Do të ishte një “tradhëti” e vogël kjo nga ana e Ançelotit, pasi në vitet 2009-2011 ai drejtoi Çelsin duke fituar Premier Ligën me arritje rekord, por siç ka thënë një diplomat francez në shekullin e 19-të, “tradhëtia, zotëri, është thjesht çështje kohe”.
Venger ka më shumë se 21 vjet në stolin e Arsenalit, pasi mori detyrën në 1996, ndërsa kontrata e tij përfundon në 2019. Gjithsesi, londinezët janë në vendin e 6-të në kampionat pra larg zonës Champions, dhe u eleminuan nga Kupa e Anglisë. Shpresat janë tek Liga e Europës (nëse e fitojnë shkojnë në Champions) dhe fare pak tek Kupa e Ligës.
Sfidanti.al