Fitorja në miqësoren ndaj Zonenhof Grosaspahut ishte 5-3 dhe aspak madhështore, por Bajerni i Jup Hajnkesit dihet se është shumë i fortë edhe kështu. Kur dëgjon fjalët e disa prej yjeve të tij, bindesh se bavarezët janë edhe më të fortë dhe se do të synojnë çdo kupë “argjendi” këtë edicion. Arturo Vidal ia ka vënë syrin pikërisht këtyre trofeve, sidomos Bundesligës dhe Championsit (edhe pse nuk e hedh poshtë Kupën e Gjermanisë) ndaj i përgjigjet kështu interesimit të Çelsit: “Kam dëgjuar për këtë, por jam fokusuar tek punët e mia këtu dhe po i marr gjërat ditë pas dite, pasi ne jemi skuadër e madhe dhe duam të fitojmë gjithçka”.
Po Frank Riberi? Francezi veteran shënoi 3 gola në përgatitoren që përmendëm më lart, dhe nuk harroi të merrte një revansh për kritikat apo dyshimet. “Pavarësisht moshës dhe dëmtimeve, pavarësisht sesa kam fituar, unë jam ende shumë i uritur”, – tha numri 7. Së fundi, Hames Rodrigez, i cili më herët deklaroi se Zidan nuk e kishte preferuar tek Reali. “Ne kemi shumë cilësi në skuadër, – thotë kolumbiani, – dhe jemi në një pozicion ku mund të fitojmë të tre trofetë e mëdhenj”. Së fundi, Xhoshua Kimih: “Ne mund të mposhtim këdo”.
Sfidanti.al