Në ligën e dytë angleze blihen futbollistë edhe për 18 milionë euro!

Megjithëse konkurron në ligën e dytë angleze, Championship, Uollverhemptoni po bën një politikë transferimesh si të jetë ndonjë klub i Premier Ligës kryesore, duke e blerë futbollistin Ruben Neves nga Porto për 18 milionë euro. Kështu, ky futbollist 20-vjeçar portugez, për të cilin, më parë, janë interesuar Celsi, Junajtidi dhe Liverpuli, nënshkroi një kontratë pesëvjeçare me Uollverin që po tregon një ambicie të madhe gjatë kësaj sezoni të transferimeve verore, duke synuar që të kthehet në konkurrimin më elitar dhe duke mos i kursyer paratë për realizimin e këtij synimi.

Më parë, Uollveri ka blerë Helder Kostën për 13 milionë euro, ndërsa në këtë klub kanë mbërritur edhe portugezët Roderik Miranda dhe Ivan Kavalero. Të gjitha këto kontrata kalojnë përmes duarve të agjentit portugez Zhorge Mendesh që përfaqëson edhe Zhoze Murinjon dhe Kristiano Ronaldon. Në fakt, nuk është ndonjë çudi e madhe që Uollverhemptoni e ka kthyer vëmendjen në tregun portugez, pasi vetë trajneri i këtij ekipi anglez është portugez, Nuno Espirito Sano, që sapo ka ardhur nga Porto.

Sfidanti.al