Në Angli paralajmërojnë Ronaldon: Kristiano, nis të vraposh me Rangnikun!

Flitet për trajnerin që cilësohet si “babai i kundërpresingut” (gegenpressing në gjermanisht), nga i cili mësuan të tjerët si p.sh., Jurgen Klopi. Ralf Rangnik kërkon futboll me vrapues dhe tek Mançester Junajtidi mund të ketë probleme me lojtarë të ndryshëm, sidomos me Kristiano Ronaldon që është 36 vjeç, apo edhe Bruno Fernandesin dhe Pol Pogbanë. “Ronaldo duhet të bëhet gati që të djersitet dhe të vrapojë shumë”, – thonë gjysmë me shaka analistët në Angli. Jo vetëm kaq, por gazetat nxjerrin nga “sënduku” fjalët që Rangniku, trajneri i ri i Junajtidit, kishte thënë disa vjet më parë se “Ronaldon nuk do ta merrja në ekip sepse është i vjetër”. Po ashtu, gjermani nuk i ka qejf lojtarët me tatuazhe, siç është p.sh., Xhejdën Sanço! Gjithsesi, ka nga ata që paralajmërojnë. Patris Evra thotë se “Rangniku do të dështojë sepse “djajtë e kuq” nuk kanë lidera, dhe tashmë që u largua Solskjeri nuk ka mundësi të fshihet kush”. Ish-ylli i Liverpulit, Dani Mërfi, thotë se “Rangniku nuk ka përvojë me klube të mëdhenj dhe me ego të mëdha”. Të shohim!

Sfidanti.al