Murinjo: Siti humb titullin 2014 tek Liverpuli? Po me 2018-ën ç’bëhet?!

Ai është i interesuar i drejtpërdrejtë, dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe. Zhoze Murinjo u pyet për dënimin e mundshëm të Mançester Sitit nga UEFA, dhe u përgjigj me mënyrën e tij, njëkohësisht indiferente, por edhe të interesuar. “Unë nuk kam shpenzuar asnjë sekondë për të mësuar se çfarë ka bërë UEFA, apo çfarë argumentesh ka dhënë, – u shpreh ai, – ndryshe do të më duhej të pyesja, çdo të bëhet me titullin e vitit 2018?”

Trajneri portugez i Totenhemit ishte në stolin e Mançester Junajtidit në 2017-2018 dhe doli i dyti, pra nëse Sitit i hiqet edhe ai titull, i bie që Murinjo ta fitojë bashkë me “djajtë e kuq”. Për momentin, po flitet për një heqje të titullit të 2014-ës ndaj Sitit, që natyrshëm do të shkonte tek Liverpuli. Murinjo, më shumë u mor me gjendjen e tanishme të Premier Ligës dhe të shanseve për të shkuar në Champions.

“Duhet të dalim të katërtët, – tha ai, – për të qenë të sigurt, nëse jemi të pestët mund të kemi shans nëse dënohet Siti, por nëse dalim në vend të 7-të apo të 8-të, kjo nuk vlen. Ju e shikoni sesa shumë skuadra luftojnë për vendin e katërt, Totenhemi, Uolves, Shefild Junajtidi, Mançester Junajtidi, Evertoni, Arsenali, ky pra është kampionati anglez, ku çdo gjë mund të ndodhë”.

Sfidanti.al