Ka qenë ish-kapiteni dhe njeriu-simbol i klubit të Katalonjës. Vështirë të bëhet i dytë si Karles Pujoli, një mbrojtës qendre me zemër të madhe, dhe karakter që kapërcente limitet e tij fizike e teknike për ta kthyer në një yll. Ish-njeriu i shiritit, pjesëmarrës në vitet më të lavdishme të Barcelonës dhe të kombëtares së Spanjës, u pyet për karrierën e Lionel Mesit, pra nëse tifozët në “Kamp Nou” do të kenë mundësi ta shikojnë edhe për shumë kohë, apo jo.
“Mesi është 32 vjeç, – theksoi Pujoli, – mendoj se lojtarë të nivelit të Leos mund të luajnë pa problem në nivel të lartë deri në moshën 38-vjeçare, pra duhen edhe 6 vjet”. Legjenda barceloniste theksoi se ka besim që ekipi do ta marrë veten dhe se do të vazhdojë të fitojë trofe siç ka bërë gjithë këta vjet. Ai nuk është pjesë e klubit, ndërsa theksoi se “çfarë do që të ndodhë, Barcelona për mua është mbi gjithçka, më shumë se presidentët, lojtarët apo të tjera si këto”.
Sfidanti.al