Po të mos ishte lojtar i “Anfildit”, do të bëhej pyetja, nëse e ka ndjekur këtë sezon apo jo! Mbrojtësi i qendrës i Liverpulit, Xho Gomez, shkaktoi jo pak habi kur vlerësoi se Atletiko e Madridit mund të quhet favorite ndaj të kuqve në duelin e turit të dytë të Championsit. Me të drejtë, mediat britanike theksuan se skuadra e Jurgen Klopit është kampione në fuqi e Europës, dhe është 25 pikë përpara vendit të dytë në Premier Ligë, pra si mund të kenë kuptim fjalët e Gomezit?
Dikur, në “kohën e Enverit”, ishte një barcaletë që i quante “shaka për ariun”, ato shaka që e bënin njeriun të vdiste nga e qeshura. Edhe Xho Gomezi, ndoshta pa dashje, po bën një shaka për ariun. “Ne vërtet jemi kampionë të Europës në fuqi, por gjithmonë duhet ta tregosh veten, të vazhdosh të fitosh, – tha ai, – njerëzit mund të thonë se ne po luajmë shumë mirë, por skuadra jonë ka ende mentalitetin që nuk e quan kurrë veten e saj favorite. E fituam Championsin, por duhet të tregojmë veten që ta fitojmë përsëri”. Gazetat angleze pohojnë se Liverpuli ka synim të hapë një epokë si Milani i dikurshëm i Arrigo Sakit. Liverpuli luan këtë të martë, ndeshjen e parë të turit të dytë në fushën e Atletikos.
Sfidanti.al